Fjalor i termave që përdoren më së shpeshti në Instagram.
Për fat të keq, gjuha shqipe nuk figuron në listën e gjuhëve të ofruara nga Instagram. Kjo nuk i pengon shqiptarët që ta përdorin aplikacionin numër një për shpërndarje të fotografive e videove, por është shumë më e lehtë kur e kupton gjuhën zyrtare të tij.
Disa shprehje apo fjalë qesharake mund t’ju ngatërrojnë dhe ndoshta mund të mos i keni të qarta. Prandaj, më poshtë kam listuar një fjalor me termat që përdoren më së shpeshti në platformën e Instagram. Përdorimi i këtyre fjalëve do të bëjë të dukeni si profesionist i vërtetë!
App: Shkurtesë nga fjala Aplikacion.
Archive: Një veçori që mund ta përdorni për të fshehur nga profili, por jo për të fshirë tërësisht një postim në Instagram. Klikoni trepikëshin në postim dhe zgjedhni Archive. Të njëjtin postim mund ta rishfaqni përsëri në profil duke shkuar te Profili – Menyja trevijëshe – Archive – Show on profile.
Bio: Përshkrimi në profilin tuaj që tregon se kush jeni.
Caption: Përshkrimi i postimit që shfaqet drejtpërdrejt nën imazh ose video.
DM: Shkurtesë për mesazhet direkte apo ndryshe siç i quajmë – mesazhe private.
Explore: Funksioni i kërkimit në Instagram. Klikoni xhamin zmadhues në shiritin e poshtëm dhe hyni faqen Explore për të parë postime tjera që mund t’ju interesojnë.
Feed: Koleksioni i postimeve aktuale të ndara nga ata që ndiqni, të caktuar nga ikona e shtëpisë në panelin e lundrimit në fund.
Filter: Një veçori redaktimi që mund të aplikoni në postimin tuaj për të përmirësuar tiparet dhe ngjyrat e fotografisë apo videos që do të postoni.
Followers: Mund t’i quajmë edhe fansa. Disa të tjerë kam parë që i quajnë pasues. Me një fjalë, followers janë të gjithë ata njerëz që ju ndjekin juve në Instagram.
Following: Personat që ju i ndiqni në Instagram.
Gallery: Koleksioni i postimeve në profilin e një përdoruesi në Instagram. Gjithashtu skedë në funksionin e kamerës ku janë vendosur imazhet nga kamera e telefonit tuaj.
Geotag: Një etiketë e lokacionit që tregon vendin nga është bërë postimi.
Handle: Një term tjetër për username apo emrin e përdoruesit.
Hashtag: Simboli # i vendosur përpara një fjalë kyçe që përdoret për të bërë kategorizimin e postimit. Për shembull, në çdo postim të @cutecatskittens përdorim hashtagun e brenduar #cutecatskittens por edhe të tjerë që kanë lidhje me macat.
Home: Ekrani i ilustruar me ikonën e shtëpisë në panelin e poshtëm të navigimit që shfaq postimet e të gjithëve që i ndiqni.
IGTV: Me IGTV, Instagram po mundohet të merr nga kulaçi i Youtube, por përdoruesve nuk po u duket po aq i shijshëm. IGTV është opcion që lejon video nga 15 sekonda në 60 minuta. Nëse keni një llogari në Instagram, me automatizëm keni edhe IGTV.
Instagrammers: Përdoruesit e Instagramit. Një term kolektiv i përdorur për t’iu referuar njerëzve që përdorin Instagram.
Like: Ajo zemra e kuqe kur klikojmë dy herë me shpejtësi mbi foton apo videon, ose kur klikojmë drejtpërdrejt në ikonën e zemrës përfundi postimit 😁. Me fjalë tjera, liket paraqesin masën e vlerësimit të një postimi.
Mention: Kur një llogari përmend apo citon një llogari tjetër në Instagram. Mention bëhet duke përdorur simbolin @ së bashku me emrin e përdoruesit të llogarisë. Kjo mund të bëhet në Caption ose komente.
Notifications: Kur dikush bashkëvepron me përmbajtjen ose profilin tuaj, ju merrni një njoftim për t’ju njoftuar për atë aktivitet. Pra, kur dikush bën Like apo Comment në ndonjërin prej postimeve tuaja, atëherë te ikona e zemrës te shiriti i mjeteve do tê shfaqet një shenjë e kuqe që tregon se dikush ka vlerësuar postimim tuaj.
Post: Secila përmbajtje vizuale, fotografi apo video që e keni ngarkuar në Instagram.
Profile: Të gjitha të dhënat tuaja publike të llogarisë; emri, emri i përdoruesit, fotoja e profilit, përshkrimi bio dhe galeria. Ju mund të shikoni profilin e çdo llogarie në Instagram duke shtypur foton e profilit të llogarisë apo emrin e përdoruesit. Gjithashtu, mund të shikoni edhe profilin tuaj duke shtypur foton e profilit në shiritin e poshtëm të navigimit.
Story: Përmbajtja me formë të shkurtër (foto ose video) që mbetet në profilin e një përdoruesi vetëm 24 orë. Përmbajtja ngarkohet duke klikuar te shenja plus + në foton e profilit tuaj, te faqja e profilit ose në faqen e parë (Home), ku edhe mund t’i shihni stories që kanë postuar të tjerët që i ndiqni.
Tag: Një tag shqipërohet si etiketë, dhe si e tillë në Instagram përfshin emrin e përdoruesit të llogarisë së etiketuar në postimin origjinal. Një llogari duhet të etiketohet vetëm nëse përfshihet në përmbajtjen e postimit, të tilla si një person, një vend ku është bërë fotografia apo një produkt nga një markë e shfaqur në foto ose video. Kur ngarkoni një postim në Instagram, mund të etiketoni një llogari tjetër duke zgjedhur opsionin Tag People. Ata që i keni etiketuar do të marrin një njoftim.
Username: Emri që një llogari përdor në Instagram për të përcaktuar adresën e tij të profilit. Adresa URL e Instagramit për çdo përdorues është instagram.com/ e pasuar nga emrin përdorues për shembull mbreti3gut. Emri i përdoruesit gjenerohet me një simbol @ përpara kur dëshirojmë t’i bëjmë tag apo mention.
E di që mund të ketë edhe terma tjerë, por këto janë më kryesoret që një përdorues i zakonshmën mund t’i hasë në platformën e Instagram. Ndërkaq ata që mirren në mënyrë më profesionale veçmë duhet t’i dinë.
Nëse keni ndonjë pyetje rreth termave të tjera, apo dëshironi të sugjeroni ndonjë, mos hezitoni të na shkruani në koment.